Aktakuzë për keqpërdorim detyre dhe mashtrim në prokurim publik në Komunën e Prizrenit
Prokuroria Themelore në Prizren ka ngritur aktakuzë kundër shtatë personave të akuzuar për keqpërdorim të detyrës zyrtare lidhur me tenderin “Renovim dhe mirëmbajtje të objekteve të Komunës së Prizrenit”.
Gjithashtu, një person tjetër akuzohet për keqpërdorim dhe mashtrim në prokurim publik.
Sipas aktakuzës, më 4 gusht 2022, të akuzuarit Xh.D., Y.G., Q.K., S.V., E.Sh., L.S., dhe B.J., në cilësinë e personave zyrtarë, dyshohet se duke shfrytëzuar detyrën, nuk i kanë përmbushur detyrat e tyre zyrtare gjatë vlerësimit të ofertave, duke favorizuar grupin e operatorëve ekonomikë “P.C.G. Sh.P.K.” dhe “A.-T. Sh.P.K.”.
Në njoftimin e Prokurorisë thuhet se i akuzuari Xh.D. (kryetar i komisionit vlerësues), Y.G. dhe Q.K. (anëtarë të komisionit), rekomanduan lidhjen e kontratës në vlerë 550.000,00 € me grupin e operatorëve të lartpërmendur, pavarësisht se pesë operatorë të tjerë kishin ofruar çmime dukshëm më të lira.
Ndërkohë, i akuzuari S.V. (menaxher i kontratës), e akuzuara L.S. (mbikëqyrëse e brendshme) dhe i akuzuari B.J. (mbikëqyrës i jashtëm) akuzohen se nuk kanë vepruar konform legjislacionit të prokurimit dhe nuk kanë parandaluar keqmenaxhimin e kontratës.
Gjithashtu, i akuzuari D.N. ngarkohet për keqpërdorim dhe mashtrim në prokurim publik, ndërsa i akuzuari E.Sh. (drejtor i administratës) dyshohet se ka ndikuar në manipulimin e çmimeve nga operatorët ekonomikë gjatë fazës së ofertimit.
Ky rast tani do të vazhdojë në procedurat e mëtutjeshme gjyqësore.