Isa Mustafa: Do të ishte e shëndetshme që opozita ta propozojë kandidatin për president
Ish-kryeministri i Kosovës, Isa Mustafa, ka komentuar situatën e krijuar lidhur me zgjedhjen e presidentit të Kosovës, duke theksuar nevojën për institucione të konsoliduara dhe funksionale.
Mustafa ka thënë se situata aktuale, përfshirë procesin në Hagë, ndryshimet gjeopolitike dhe gjendjen ekonomike, kërkon një shtet të organizuar dhe politika të qarta.
Sa i përket kandidatit për president, Mustafa ka vlerësuar se do të ishte politikisht e shëndetshme që të arrihej një pajtim që kandidati të propozohej nga opozita.
Ai ka theksuar se Kushtetuta përcakton profilin e presidentit, ndërsa pas zgjedhjes presidenti bëhet jopartiak.
“Do të ishte politikisht e shëndetshme të arrihet pajtimi që kandidati për president të propozohet nga opozita”, ka deklaruar Mustafa për IndeksOnline.
Sipas tij, vota e deputetëve është vullnet i lirë dhe njëkohësisht përgjegjësi e tyre.
