Shala: Vendimet e shumicës në LDK duhet të respektohen
Kryetari i degës së LDK-së në Suharekë, Dr. Ardian Shala, ka reaguar përmes një postimi në Facebook, duke bërë thirrje për respektimin e vendimeve të organeve të partisë dhe të shumicës.
Foto: Ilustrim
Shala ka theksuar se ekziston një dallim mes kritikës dhe, siç e quan ai, “sabotimit partiak”. Sipas tij, sulmet e vazhdueshme publike ndaj partisë, delegjitimimi i vendimeve të organeve të saj dhe ofrimi i materialit për kundërshtarët politikë nuk mund të konsiderohen thjesht si “mendim ndryshe”.
Ai ka përmendur Kuvendin e LDK-së si organin më të lartë të partisë, duke thënë se vendimet e marra me shumicë duhet të respektohen.
“LDK-ja nuk është pronë e askujt dhe as peng i ambicieve personale”, ka shkruar Shala.
Në fund, ai ka thënë se kundërshtimet duhet të shprehen përmes institucioneve të partisë, ndërsa e ka cilësuar si “sabotim politik” zhvillimin publik të betejave personale nëse ato dëmtojnë LDK-në.
