Hoti kundër kandidaturës së Bekim Sejdiut për President
Deputeti i Lidhjes Demokratike të Kosovës, Avdullah Hoti, ka deklaruar se nuk do ta përkrahë kandidaturën e Bekim Sejdiut për President të Kosovës.
Në një postim në Facebook, Hoti ka theksuar se kundërshtimi i tij nuk është për arsye personale, por për, siç ka thënë ai, “një parim politik dhe institucional”.
Hoti vlerëson se Presidenti duhet të jetë një figurë unifikuese, që ndërton konsensus përtej interesave partiake dhe përfaqëson interesin e përgjithshëm të qytetarëve. Sipas tij, kandidatura e Sejdiut nuk e përmbush këtë kriter.
Ai ka kritikuar edhe mënyrën se si është arritur te kjo zgjidhje, duke pretenduar se ajo nuk pasqyron interesat politike dhe parimore të LDK-së dhe elektoratit të saj.
“LDK duhet të ketë një qëndrim të qartë, të pavarur dhe të përgjegjshëm”, ka shkruar Hoti, duke shtuar se partia nuk duhet ta mbështesë një kandidaturë vetëm për hir të një marrëveshjeje politike.
Kandidatura e Bekim Sejdiut është rezultat i dakordimit mes LDK-së dhe Lëvizjes Vetëvendosje për një kandidat të përbashkët për President.
Hoti ka përfunduar se kjo çështje, sipas tij, nuk lidhet me individët, por me “parimet, identitetin politik dhe përgjegjësinë” ndaj votuesve të LDK-së.
