Përfshihet nga tymi kamioni me bagëti, bllokohet autostrada “Ibrahim Rugova”
Një defekt teknik në një kamion që po transportonte bagëti ka shkaktuar kaos dhe kolona të gjata pasditen e sotme në autostradën “Ibrahim Rugova”.
Sipas dëshmitarëve nga vendi i ngjarjes, kamioni ka filluar të lëshojë tmerrësisht shumë tym në mes të rrugës, gjë që ka alarmuar shoferët e tjerë dhe ka detyruar ndalimin e menjëhershëm të qarkullimit.
Për shkak të rrezikut nga zjarri dhe nevojës për të siguruar bagëtitë që ndodheshin brenda mjetit, autoritetet kanë bllokuar përkohësisht të gjitha korsitë e autostradës. Në vendngjarje kanë dalë njësitet policore dhe ekipi i mirëmbajtjes për të menaxhuar situatën dhe për të bërë të mundur largimin e mjetit të rëndë.
Deri më tani nuk raportohet për persona të lënduar, ndërsa policia po bën thirrje për kujdes të shtuar nga shoferët që gjenden në këtë aks rrugor deri në lirimin e plotë të korsive.
