UP të hënën hap konkursin për studentët e rinj, mbi 5 mijë vende për vitin akademik 2026/2027
Universiteti i Prishtinës do të hapë të hënën, më 29 qershor, konkursin për pranimin e studentëve të rinj në nivelin bachelor për vitin akademik 2026/2027.
Universiteti më i madh publik në Kosovë ka njoftuar se këtë vit do të ofrojë 5663 vende studimi në 146 programe akademike nga fusha të ndryshme. Sipas drejtuesve të UP-së, programet janë rishikuar dhe riakredituar në përputhje me standardet e reja të cilësisë dhe nevojat e tregut të punës.
Një risi e këtij viti është ndarja e kuotave të veçanta për studentët nga jashtë Kosovës. Për herë të parë, 4 për qind e vendeve do të rezervohen për kategori të veçanta, përfshirë diasporën shqiptare, arbëreshët e Italisë, arbneshët e Zarës dhe shqiptarët me prejardhje nga Kosova që jetojnë jashtë vendit.
Në nivelin master, UP planifikon të regjistrojë rreth 2600 studentë. Zyrtarët kanë bërë të ditur se në disa programe janë zvogëluar kuotat për të përmirësuar cilësinë e mësimdhënies, punës praktike dhe kërkimit shkencor.
Universiteti i Prishtinës vazhdon të ofrojë studime pa pagesë për studentët, ndërsa studentët me rezultate të larta akademike do të vazhdojnë të përfitojnë nga programet e bursave.
