KQZ: Vazhdon numërimi i votave me postë, sot pritet të përfundojë vlerësimi i mbi 85 mijë pakove
Komisioni Qendror i Zgjedhjeve (KQZ) ka njoftuar se në Qendrën e Numërimit dhe Rezultateve po vazhdon procesi i numërimit të votave nga votimi jashtë Kosovës, përkatësisht përmes postës, ndërsa gjatë ditës së sotme pritet të përmbyllet edhe vlerësimi i të gjitha pakove të supozuara me fletëvotime.
Sipas të dhënave të publikuara të dielën në ora 16:00, deri më tani janë numëruar 57 kuti votimi që përmbajnë zarfe me fletëvotime të aprovuara nga shërbimi votues i KQZ-së. Ndërkohë, janë përgatitur dhe regjistruar në platformën e rezultateve 156 kuti votimi, ndërsa procesi do të vazhdojë deri në përfundimin e vlerësimit të të gjitha pakove të ardhura nga diaspora.
KQZ bën të ditur se deri në fund të ditës së shtunë janë vlerësuar 75,590 pako, prej të cilave 72,746 janë aprovuar, ndërsa 2,844 janë refuzuar.Arsyeja kryesore e refuzimit ka qenë mungesa e dëftesës së regjistrimit, e evidentuar në 2,571 raste.
Po ashtu, janë refuzuar pako edhe për shkak të përfshirjes së më shumë se një fletëvotimi ose më shumë se një personi në të njëjtën pako, dërgimit të votës nga shtete të ndryshme nga ato të regjistrimit, mungesës së pullës postare, si dhe rasteve të tjera procedurale.
Votimi përmes postës ishte i hapur nga 21 maji deri më 6 qershor, ndërsa rreth 105 mijë shtetas të Kosovës ishin regjistruar për të votuar në këtë mënyrë.Nga 23 kuti postare të vendosura në 22 shtete të ndryshme dhe në Kosovë, KQZ ka tërhequr më shumë se 85,700 pako të supozuara me fletëvotime, shumica e të cilave tashmë janë vlerësuar.
