Supremja rrëzon të gjitha ankesat për zgjedhjet, hapet rruga për certifikimin e rezultateve
Gjykata Supreme e Kosovës ka refuzuar si të pabazuara të gjitha pesë ankesat e paraqitura kundër vendimeve të Panelit Zgjedhor për Ankesa dhe Parashtresa (PZAP), duke i hapur rrugë certifikimit të rezultateve përfundimtare të zgjedhjeve parlamentare.
Foto: Ilustrim
Ankesat ishin dorëzuar nga Lista Serbe, kandidatja e Nova Demokratska Stranka (NDS), Emilija Rexhepi, si dhe kandidatët e PDK-së, Bekim Haxhiu dhe Qëndrim Kryeziu.
Në rastin e Listës Serbe dhe Emilija Rexhepit, Gjykata Supreme vlerësoi se pretendimet për ndikimin e strukturës etnike të votuesve në rezultatet zgjedhore nuk kanë bazë ligjore. Sipas aktgjykimeve, legjislacioni i Kosovës nuk e lidh vlefshmërinë e votës me përkatësinë etnike të votuesit, ndërsa Lista e Votuesve nuk përmban të dhëna për përkatësinë etnike.
Gjykata gjithashtu konstatoi se nuk janë paraqitur prova konkrete për manipulim të votave, parregullsi zgjedhore apo shkelje të procedurave që do të justifikonin ndërhyrje në rezultatet përfundimtare.
Ndërkohë, ankesat e kandidatëve të PDK-së, Bekim Haxhiu dhe Qëndrim Kryeziu, për rinumërim të plotë të votave preferenciale u refuzuan, pasi Gjykata vlerësoi se korrigjimet e evidentuara gjatë rinumërimit të një pjese të vendvotimeve ishin sporadike dhe nuk dëshmonin parregullsi sistematike që do të cenonin integritetin e procesit zgjedhor.
Me këto vendime, Gjykata Supreme ka konfirmuar se vendimet e PZAP-së janë në përputhje me Kushtetutën dhe Ligjin për Zgjedhjet e Përgjithshme, duke i hapur rrugë Komisionit Qendror të Zgjedhjeve për certifikimin e rezultateve përfundimtare.
