Rekord aplikimesh nga diaspora për zgjedhjet e 7 qershorit, mbi 142 mijë kërkesa në KQZ
Interesimi i mërgatës për zgjedhjet parlamentare të 7 qershorit ka shënuar rekord të ri, duke tejkaluar numrin e aplikimeve të regjistruara në zgjedhjet e vitit 2021.
Foto: Ilustrim
Sipas të dhënave preliminare të Komisionit Qendror të Zgjedhjeve, nga 6 deri më 17 maj 2026 janë pranuar gjithsej 142,803 kërkesa për regjistrim të votuesve jashtë Kosovës.
Prej tyre, deri tani janë aprovuar 109,696 aplikime, 7,325 janë refuzuar, ndërsa 25,702 mbeten në shqyrtim.Zëdhënësi i KQZ-së, Valmir Elezi, bëri të ditur se shumica e qytetarëve kanë zgjedhur votimin përmes postës.
“Nga 109,696 aplikime të aprovuara, 81,901 shtetas janë regjistruar për të dërguar pakon me fletëvotim në kutinë postare jashtë Kosovës, 2,855 për në kutinë postare të KQZ-së në Kosovë, ndërsa 24,940 janë regjistruar për të votuar fizikisht në përfaqësitë diplomatike”, ka deklaruar Elezi.
Ky numër aplikimesh tejkalon zgjedhjet e vitit 2021, kur ishin regjistruar rreth 130 mijë aplikime nga diaspora.
