KEK ndalon përkohësisht njësinë A4 në “Kosova A”, paralajmëron investime mbi 500 milionë euro në sektorin energjetik
Korporata Energjetike e Kosovës ka njoftuar se njësia A4 në termocentralin TC Kosova A do të ndalet në mënyrë të kontrolluar rreth mesnatës, për shkak të problemeve të identifikuara në kondenzator.
Sipas KEK-ut, vendimi është marrë pas vlerësimeve profesionale, të cilat kanë konstatuar se vazhdimi i operimit në këto kushte mund të shkaktojë dëmtime më të mëdha në njësi.
Ndalja është cilësuar si masë parandaluese për të ruajtur integritetin teknik dhe për të shmangur defekte serioze.
Institucionet relevante janë njoftuar me kohë për këtë zhvillim, ndërsa aktualisht KEK po operon me tri njësi gjeneruese: B2 në TC Kosova B si dhe A3 dhe A4 në “Kosova A”, duke siguruar vazhdimësinë e prodhimit sipas kapaciteteve ekzistuese.
Në të njëjtën kohë, KEK ka bërë të ditur se ndodhet në një fazë të rëndësishme transformimi, me investime që tejkalojnë 500 milionë euro për modernizimin dhe zgjatjen e jetës së njësive gjeneruese.
Këto përfshijnë modernizimin e njësisë B1, përfshirë turbinat dhe elektrofiltrat, si dhe remontin kapital të njësisë A5.Nga KEK theksohet se ndërhyrje të tilla kërkojnë në raste të caktuara ndalje të përkohshme të njësive, si pjesë e një procesi të domosdoshëm për përmirësim afatgjatë të sektorit energjetik.
Korporata u bën thirrje qytetarëve dhe mediave që të informohen vetëm përmes kanaleve zyrtare, duke paralajmëruar se informacionet e pasakta mund të krijojnë keqinformim në opinionin publik.
KEK ka ritheksuar përkushtimin për furnizim të qëndrueshëm me energji elektrike, duke vijuar paralelisht me investime strategjike për rritjen e sigurisë dhe efikasitetit në të ardhmen.
