Mall luksoz i padeklaruar – Çantat “Hermes” me vlerë mbi 16 mijë euro ndalohen nga Dogana

16.10.2025

Një rast i veçantë është zbuluar nga zyrtarët doganorë në pikën kufitare të Vërmicës, ku gjatë kontrolleve të rregullta është ndaluar një automjet taksi që transportonte mallra të padeklaruara me vlerë të lartë.

Sipas njoftimit të Doganës së Kosovës, gjatë një kontrolli të detajuar ndaj automjetit, zyrtarët doganorë kanë gjetur dy çanta luksoze të markës “Hermes”, për të cilat nuk ishte bërë deklarimi i nevojshëm në momentin e hyrjes në territorin e Republikës së Kosovës.

Në njërën nga çantat është zbuluar edhe një faturë blerjeje, ku vlera e mallit rezultonte të ishte 16,614 euro.

Mallrat janë ndaluar përkohësisht nga autoritetet doganore deri në përfundimin e procedurave ligjore që parashihen në raste të tilla të mosdeklarimit të mallit.

Dogana e Kosovës ka rikujtuar qytetarët dhe udhëtarët se çdo mall i bartur në kalim kufitar duhet të deklarohet, pavarësisht natyrës apo vlerës së tij. Mosdeklarimi i mallrave luksoze apo me vlerë të lartë përbën shkelje të rregullave doganore dhe mund të rezultojë në ndalim, konfiskim të mallit dhe ndëshkime financiare.

Ky rast vë në pah rëndësinë e deklarimit të saktë dhe të përgjegjshëm gjatë kalimit të kufirit, veçanërisht kur bëhet fjalë për mallra të shtrenjta ose me natyrë tregtare.