“Ditët e Sigurisë”- Policia e Kosovës për një javë shqipton mbi 11 mijë gjoba

24.09.2025

Policia e Kosovës ka realizuar me sukses aktivitetet operacionale të parapara në kuadër të planit ROADPOL 2025 – Rrjeti Evropian i Policive Rrugore, gjatë javës së sigurisë rrugore të zhvilluar nga data 16 deri më 22 shtator 2025.

Fokusi i këtij angazhimi ishte rritja e sigurisë në trafikun rrugor dhe parandalimi i aksidenteve, me theks të veçantë në ndërgjegjësimin e pjesëmarrësve në trafik përmes kontrolleve dhe edukimit.

Gjatë kësaj jave, njësitë e trafikut të angazhuara në të gjitha rajonet e vendit kanë realizuar:

  • 1,764 pika kontrolli të automjeteve
  • 6,956 automjete të kontrolluara
  • 27 ligjërata dhe aktivitete edukative me nxënës nëpër institucione shkollore
  • 11,116 gjoba të shqiptuara për shkelje të ndryshme në trafik

Fushat e kontrollit kanë përfshirë:

  • Mjetet me dy rrota
  • Shpejtësinë e lëvizjes
  • Përdorimin e telefonit gjatë vozitjes
  • Mosvendosjen e rripit të sigurisë
  • Respektimin e rregullave nga këmbësorët
  • Përdorimin e helmetës nga motoçiklistët

Policia e Kosovës bën të ditur se këto aktivitete janë pjesë e përpjekjeve të vazhdueshme për uljen e numrit të aksidenteve, rritjen e ndërgjegjësimit publik dhe edukimin e brezit të ri për sigurinë në rrugë.