MINTI shqipton rreth 600 mijë euro gjoba pas mbi 3,000 inspektimeve

24.08.2026

Ministria e Industrisë, Ndërmarrësisë, Tregtisë dhe Inovacionit (MINTI) ka intensifikuar mbikëqyrjen e tregut gjatë pjesës së parë të vitit 2026, me mbi 3,000 inspektime dhe rreth 600 mijë euro gjoba të shqiptuara për shkelje të ndryshme.

Inspektorati Qendror i Mbikëqyrjes së Tregut (IQMT) ka adresuar gjithashtu mbi 600 ankesa të konsumatorëve dhe ka zhvilluar aksione të përbashkëta me Policinë e Kosovës, ATK-në, Agjencinë e Metrologjisë dhe AUV-in.

Shkeljet e evidentuara kanë përfshirë mospërputhje të çmimeve raft–arkë, produkte pa deklaracion, veprimtari pa regjistrim, produkte me afat të skaduar dhe përdorim të mjeteve matëse me afat të skaduar.

Sipas MINTI-t, krahasuar me periudhën e njëjtë të vitit të kaluar, gjobat janë rritur për 33.33 për qind. Deri në fund të vitit synohet që numri i inspektorëve të tregut të arrijë në 100.

Ndërkohë, MINTI ka funksionalizuar edhe një platformë në Viber për ankesat e konsumatorëve në numrin +383 (46) 311-000.