KEDS gjobitet me 65 mijë euro për përdorimin e njehsorëve me verifikim të skaduar
Ministria e Industrisë, Ndërmarrësisë, Tregtisë dhe Inovacionit (MINTI), përmes Agjencisë së Metrologjisë së Kosovës dhe Inspektoratit Qendror të Mbikëqyrjes së Tregut, ka intensifikuar kontrollet ndaj njehsorëve elektrikë në të gjithë Kosovën.
Foto: Ilustrim
Gjatë inspektimeve të fundit janë identifikuar 13 njehsorë elektrikë që ishin në përdorim me afat të skaduar të verifikimit metrologjik.
Për këto shkelje, KEDS është ndëshkuar me 13 gjoba administrative, në vlerë të përgjithshme prej 65 mijë eurosh.
Sipas MINTI-t, kontrollet do të vazhdojnë edhe në ditët në vijim, me qëllim garantimin e matjes së saktë të konsumit të energjisë elektrike, mbrojtjen e të drejtave të konsumatorëve dhe respektimin e legjislacionit në fuqi.
Ministria u ka bërë thirrje qytetarëve që kanë dëshmi ose dyshime lidhur me funksionimin e njehsorëve elektrikë që t’i raportojnë rastet përmes Viber-it në numrin +383 (0) 46 311 000 ose në adresën elektronike konsumatori@rks-gov.net.
