Suharekë, 1552 nxënës kaluan në gjysmëvjetorin e dytë me një ose më shumë nota të dobëta
Komuna e Suharekës ka publikuar suksesn e nxënësve në fund të gjysmëvjetorit të parë të vitit shkollor 2024/2025.
Sipas raporteve nga shkollat dhe të dhënave të sistemit SMIA të Ministrisë së Arsimit, Shkencës, Teknologjisë dhe Inovacionit (MASHTI), vijueshmëria dhe suksesi i përgjithshëm i nxënësve vlerësohet si i kënaqshëm.
Krahasuar me të njëjtën periudhë të vitit të kaluar shkollor, ka një ngritje prej 1% në kalueshmërinë e nxënësve në të gjitha nivelet e arsimit, duke u rritur nga 79% në 80%.
Nga gjithsej 7643 nxënës të regjistruar në shkollat e komunës së Suharekës, rezultatet e fundit të gjysmëvjetorit të parë tregojnë një performancë të mirë të përgjithshme:
- Sukses të shkëlqyeshëm: 2696 nxënës
- Sukses shumë mirë: 1644 nxënës
- Sukses mirë: 1346 nxënës
- Sukses mjaftueshëm: 344 nxënës
- Me një ose më shumë nota të dobëta: 1552 nxënës
- Të panotuar: 61 nxënës
Këto të dhëna tregojnë një trend pozitiv në performancën akademike të nxënësve në Komunën e Suharekës. Rritja e lehtë por e vazhdueshme e suksesit në krahasim me vitin e kaluar tregon përkushtimin e nxënësve, mësimdhënësve dhe institucioneve arsimore në përmirësimin e cilësisë së arsimit.
Megjithatë, shifrat tregojnë se ende ka një numër të konsiderueshëm nxënësish me nota të dobëta, duke theksuar nevojën për intervenime të mëtejshme dhe mbështetje shtesë për këta nxënës në mënyrë që të përmirësojnë arritjet e tyre.