Zvicra sjell ndryshime nga nëntori – Vizat, mbështetje më e gjatë për punëtorët dhe kontrolle të reja në udhëtim
Nga muaji i ardhshëm, në Zvicër hyjnë në fuqi disa ndryshime të rëndësishme që prekin tregun e punës, personat me status të mbrojtjes, sistemin e vizave, udhëtimet dhe mënyrën e pagesave. Këto ndryshime janë miratuar nga Këshilli Federal dhe do të zbatohen gradualisht gjatë nëntorit.
Foto: Ilustrim
Qeveria zvicerane ka vendosur zgjatjen e kompensimit për punë me kohë të shkurtër, si përgjigje ndaj gjendjes së dobët ekonomike, veçanërisht në sektorin industrial. Nga 1 nëntori, periudha maksimale e përfitimit do të jetë 24 muaj, nga 12 që ishte më parë. Pas këtij afati do të ketë një periudhë pritjeje prej gjashtë muajsh, përpara se kompensimi të mund të kërkohet sërish. Kjo rregullore do të mbetet në fuqi deri në vitin 2028.
Ndryshime të rëndësishme prekin edhe statusin e mbrojtjes S, që u jepet të zhvendosurve nga Ukraina. Nga 1 nëntori, rajoni i origjinës do të jetë kriteri kryesor për dhënien ose jo të këtij statusi. Në rastet kur një kthim në rajonin e origjinës vlerësohet si i mundur, aplikimi mund të refuzohet. Gjithashtu, personat me status S tashmë mund të udhëtojnë 15 ditë për çdo gjysmë viti në vendin e tyre, ndërsa më herët ky afat ishte çdo tre muaj. Ndërkohë, refugjatët me kategori të tjera nuk mund të udhëtojnë jashtë vendit.
Nga nëntori ulen edhe tarifat për vizat dhe pagesat me kartë, pas një marrëveshjeje të Komisionit të Konkurrencës me kompaninë Visa. Tarifa e shkëmbimit për pagesat me kartë do të kufizohet në 0.15% për pagesat në dyqane dhe 0.25% për pagesat online. Për shitësit me pakicë shtohet një normë bazë që nuk mund të tejkalojë 36 centime për shumat mbi 300 franga.
Për udhëtarët që hyjnë në zonën Shengen nga shtete jashtë saj, futet një sistem i ri në pikat kufitare ajrore. Nga 17 nëntori, edhe Aeroporti i Cyrihut do të regjistrojë gjurmët e gishtërinjve dhe fotot biometrike të udhëtarëve të tillë, duke zëvendësuar vulat tradicionale të pasaportës. Ky sistem është tashmë aktiv në Bazel dhe Gjenevë.
Ndryshime ka edhe në sistemin e faturave QR, të cilat nga 21 nëntori duhet të përmbajnë adresë të strukturuar për të qenë të vlefshme. Pa këtë përditësim, pagesat mund të refuzohen. Kjo prek si bizneset, ashtu edhe individët që përdorin këtë mënyrë pagese.
Ndërkohë, në fund të nëntorit të vitit të ardhshëm, më 30 nëntor 2025, qytetarët zviceranë do të votojnë për dy iniciativa të rëndësishme: njëra lidhet me shërbimin qytetar të detyrueshëm për të gjithë, përfshirë gratë, ndërsa tjetra kërkon vendosjen e një taksa federale mbi trashëgimitë dhe dhuratat mbi 50 milionë franga, me normë tatimore prej 50%.
Ndryshimet pritet të prekin mijëra punëtorë, refugjatë, biznese dhe udhëtarë në Zvicër, duke pasur ndikim të drejtpërdrejtë në tregun e punës, jetën sociale dhe sistemin financiar në vendin alpin./Urgjent/