Gjermani, mbi 11 mijë shqiptarë morën leje qëndrimi për bashkim familjar në vitin 2025
Mbi 100 mijë shtetas të huaj kanë emigruar në Gjermani gjatë vitit 2025 përmes ribashkimit familjar. Sipas të dhënave të publikuara nga Welt am Sonntag, duke cituar Ministria e Jashtme Federale, gjithsej 101,756 viza për ribashkim familjar janë lëshuar nga fillimi i vitit deri në fund të nëntorit.
Foto: Ilustrim
Sipas raportimit te mediumit Urgjent në mesin e kombësive kryesore që kanë përfituar nga kjo formë emigrimi janë edhe shqiptarët nga Kosova dhe Shqipëria. Sipas statistikave zyrtare, kosovarët renditen të katërtit me 7,143 viza të lëshuara, ndërsa shqiptarët nga Shqipëria janë në vendin e pestë me 4,426 viza. Këto shifra dëshmojnë vazhdimësinë e interesit të lartë të familjeve shqiptare për t’u bashkuar me të afërmit e tyre që jetojnë dhe punojnë në Gjermani.
Nga rreth 102 mijë viza të dhëna deri në fund të nëntorit, afro 37,200 ishin për ribashkimin e fëmijëve me prindërit e tyre, rreth 3,500 për ribashkimin e prindërve me fëmijët, si dhe 44,400 për bashkëshortët e shtetasve të huaj që tashmë jetojnë në Gjermani. Po ashtu, 16,300 viza të tjera iu dhanë bashkëshortëve të personave me shtetësi gjermane.
Ribashkimi familjar në Gjermani shënoi për herë të parë mbi 100 mijë viza të lëshuara në vitin 2016, ndërsa kulmi u arrit në vitin 2023 me mbi 130 mijë viza. Në vitin 2024 numri ra lehtë dhe kjo tendencë rënëse po vazhdon edhe gjatë vitit 2025.
Sipas autoriteteve gjermane, rënia lidhet pjesërisht me pezullimin dyvjeçar të ribashkimit familjar për personat me mbrojtje plotësuese, kryesisht refugjatë sirianë të luftës civile, masë e cila hyri në fuqi në fund të korrikut. Deri atëherë, deri në 1,000 anëtarë familjeje lejoheshin të hynin në Gjermani çdo muaj në këtë kategori.
E drejta për ribashkim familjar në parim vlen vetëm për familjen bërthamore, pra bashkëshortët dhe fëmijët e mitur. Përjashtime ekzistojnë vetëm në raste të veçanta, ndërsa nga reforma e marsit 2024 është mundësuar në mënyrë shumë të kufizuar edhe ribashkimi i prindërve dhe vjehrrëve të profesionistëve dhe punëtorëve me kualifikim të lartë. Deri në fund të nëntorit të këtij viti, vetëm rreth 150 persona kanë përfituar nga kjo mundësi.