Zvicër, arrestohet 51-vjeçari shqiptar për trafik ndërkombëtar droge – sekuestrohen armë dhe sasi të mëdha kokaine
Një shtetas shqiptar 51-vjeçar me banim në Gjermani është arrestuar nga policia kantonale e Ticinos, Zvicër, si pjesë e një operacioni të madh antidrogë në zonën e Luganos.
Ai është ndër të arrestuarit kryesorë në këtë rast, së bashku me një shtetas italian 35-vjeçar me banim në Lugano, të cilët dyshohen për përfshirje në një rrjet të rëndësishëm trafiku të drogës në rajonin Sottoceneri.
Sipas njoftimit zyrtar të policisë të publikuar të hënën, gjatë një kontrolli në ambientet e përdorura nga të dyshuarit, u gjetën dhe u sekuestruan rreth 1.5 kilogramë kokainë dhe një sasi e konsiderueshme tabletash ekstazi. Pas marrjes në pyetje, autoritetet vendosën ndalimin e të dyve.
Ky hetim është pjesë e një aksioni më të gjerë që përfshiu edhe një operacion të zhvilluar në fund të shkurtit në një vilë në Pregassona. Gjatë këtij operacioni, policia kishte sekuestruar 2.8 kilogramë kokainë, mbi një kilogram kanabis dhe derivate të saj, si dhe një pistoletë dhe tre pushkë.
Në kuadër të hetimeve, janë arrestuar gjithashtu dy shtetas italianë të moshës 47 dhe 46 vjeç, si dhe një shtetas rumun 28-vjeçar. Po ashtu, në fillim të muajit prill, u vendos masa e paraburgimit për dy shtetas të tjerë italianë (57 dhe 34 vjeç) dhe një shtetase zvicerane 38-vjeçare.
Autoritetet zvicerane vazhdojnë hetimet për të zbuluar rrjetin e plotë dhe lidhjet ndërkombëtare të këtij grupi kriminal që operonte me lëndë narkotike dhe armë në rajonin e Ticinos dhe përtej.