Mbante niqab në vend publik: Gjobitet kosovarja në Zvicër

30.07.2025

Një grua 40-vjeçare me kombësi kosovare është gjobitur nga autoritetet zvicerane për shkelje të ndalimit të mbulimit të fytyrës, pasi më 6 janar 2025 kishte hyrë në një supermarket në qytetin e Bernës duke mbajtur veshur nikab, veshje që i mbulon plotësisht fytyrën, duke lënë të dukshme vetëm sytë.

Sipas urdhrit penal të lëshuar nga Zyra e Prokurorit Publik të Kantonit të Bernës, gruaja e kishte të njohur ndalimin ose të paktën duhej ta dinte se një veprim i tillë bie ndesh me ligjin federal të Zvicrës. Ajo është shpallur fajtore për shkeljen e këtij ligji dhe është dënuar me gjobë prej 100 frangash zvicerane. Në rast se nuk e paguan gjobën, ajo rrezikon të kalojë një ditë në burg.

Përveç gjobës, gruas kosovare i është ngarkuar edhe një tarifë procedurale shtesë prej 100 frangash. Megjithatë, gjoba në fjalë nuk do të përfshihet në regjistrin penal të saj.

Ligji që ndalon mbulimin e fytyrës në vende publike ka hyrë në fuqi në Zvicër më 1 janar 2025. Sipas këtij ligji, kushdo që mbulon fytyrën në publik – qoftë me burka apo nikab – mund të gjobitet deri në 1,000 franga. Deri më tani, autoritetet zvicerane kanë marrë të paktën 21 raportime lidhur me raste të ngjashme.

Përjashtime nga ndalimi lejohen vetëm në raste specifike, si për arsye shëndetësore apo sigurie, për mbrojtje nga kushtet ekstreme të motit ose për ruajtjen e zakoneve tradicionale, si përdorimi i maskave higjienike, helmetave për motoçikleta apo maskave festive gjatë karnavaleve.