UEFA ndëshkon Ballkanin me 200 mijë euro, klubi rrezikon përjashtimin nga garat evropiane

16.06.2026

FC Ballkani është ndëshkuar nga UEFA me një gjobë prej 200 mijë eurosh për shkak të vonesave në përmbushjen e obligimeve financiare, ka bërë të ditur Trupi i Kontrollit Financiar të Klubeve (CFCB).

Sipas vendimit të UEFA-s, klubi suharekas është gjetur në shkelje lidhur me pagesat e detyrimeve të prapambetura, çka ka sjellë sanksionin financiar ndaj kampionit kosovar.

Përveç gjobës, Ballkani ka marrë edhe një dënim të pezulluar, i cili parasheh përjashtimin nga garat evropiane në rast të përsëritjes së shkeljeve të ngjashme gjatë dy sezoneve të ardhshme, 2026/27 dhe 2027/28.UEFA ka sqaruar se masa nuk do të hyjë në fuqi menjëherë, por do të aktivizohet vetëm nëse klubi dështon të respektojë kriteret financiare në periudhën e përcaktuar.

Në mesin e klubeve të tjera të ndëshkuara nga organi qeverisës i futbollit evropian janë edhe CFR Cluj, Budućnost Podgorica, Ordabasy Shymkent, Sarajevo dhe Athletic Bilbao.

Ky vendim vjen në prag të angazhimeve të Ballkanit në garat evropiane, duke vendosur klubin nën vëzhgim të shtuar nga UEFA për respektimin e rregullave financiare.