Kosovari tentoi të kontrabandojë 19 motoçikleta nga Zvicra në Itali, arrestohet në Ticino
Një shtetas kosovar është arrestuar në Ticino pasi tentoi të kontrabandonte 19 motoçikleta nga Zvicra në Itali.
Foto: Ilustrim
Sipas Zyrës Federale për Doganat dhe Sigurinë Kufitare (ZFDSK), arrestimi u krye gjatë një kontrolli në një zonë pushimi në autostradën me drejtim verior, midis Riva San Vitale dhe Capolago.
Ngjarja ka ndodhur javën e kaluar, kur një furgon i ngarkuar me 19 skuterë u ndalua nga zyrtarët e ZFDSK. Motoçikletat, të pajisura me targa zvicerane, ishin të destinuara për rishitje në Zvicër pas restaurimit.
Sipas deklaratës së ZFDSK, mallrat ishin refuzuar më parë në pikën kufitare Pizzamiglio, pasi konsideroheshin mallra komerciale. Pavarësisht udhëzimeve të policisë, shoferi, një 43-vjeçar nga Kosova, kishte hyrë sërish në Zvicër duke mos respektuar udhëzimet.
“Mallrat tashmë ishin refuzuar në pikën kufitare Pizzamiglio në të njëjtën ditë sepse konsideroheshin mallra komerciale. Mirëpo, shoferi, një shtetas kosovar 43-vjeçar, nuk kishte respektuar udhëzimet e policëve dhe kishte hyrë sërish në Zvicër,” thuhet në komunikatën e ZFDSK.
Si rezultat i veprimeve të tij, shoferi është urdhëruar të paguajë disa mijëra franga gjobë dhe të deklarojë siç duhet mallin. Hetimet e mëtejshme janë duke vazhduar për të zbardhur të gjitha rrethanat e kësaj ngjarjeje.