Këndoi me tifozat e Kosovës, në Zvicër ngritet pyetje: A është gjesti i polices shqiptare “i bukur” apo “shqetësues”?
Një video ku shfaqet një police nga Bazeli duke kënduar me një këngë kosovare për Adem Jasharin ka shkaktuar reagime të forta dhe është bërë virale në rrjetet sociale.
Foto: Ilustrim
Ky veprim ka prekur thellë komunitetin shqiptar, por ka ngritur pikëpyetje rreth neutralitetit të policisë.
Videoja, e filmuar përpara ndeshjes kualifikuese të Kupës së Botës në Bazel, tregon policen e ekipit të dialogut teksa filmon tifozët kosovarë. Mes valës së euforisë dhe brohorive, ajo fillon të lëvizë buzët me një këngë për hero kombëtar kosovar, Adem Jashari.
Videoja është shpërndarë me shpejtësi, veçanërisht në llogaritë shqiptare të TikTok, ku ka grumbulluar gati 500,000 shikime. Një mbishkrim në shqip shoqëron videon: “Moment prekës: Policja shqiptare në Zvicër këndon për Adem Jasharin së bashku me tifozët kosovarë në Bazel.”
Ky veprim shihet si një shpërthim emocional dhe ka marrë mbështetje të gjerë në komunitetin shqiptar. Megjithatë, ka shkaktuar irritim te komuniteti serb. Një lexues me origjinë serbe, por i lindur në Zvicër, shprehu shqetësimin e tij për 20-Minuten.
“E gjej veçanërisht problematike kur një police me uniformë këndon publikisht një këngë për Adem Jasharin,” thotë ai. Ai thekson se çështja nuk lidhet me origjinën e tij, por me faktin se Jashari është një figurë kontroverse.
“Për shumë njerëz, videoja është shqetësuese,” shtoi ai, duke vënë në dyshim detyrën e policisë për të qenë neutrale dhe profesionale.
Në përgjigje të pyetjeve nga 20-Minuten, zëdhënësi i policisë së Basel-Stadt, Steffan Schmitt, tha se sjellja neutrale e punonjësve është thelbësore, sidomos kur janë me uniformë. Ai shtoi se kjo përfshin edhe mospjesëmarrjen në brohoritje.
“Përmbajtja dhe drejtimi i këngës do të sqarohen,” tha Schmitt, duke shtuar se udhëheqja e policisë kantonale po e heton çështjen menjëherë dhe rezervon të drejtën për të ndërmarrë veprime.