Aktakuzë ndaj një kosovari për lidhje me ISIS-in dhe rekrutim në Gjenevë
Zyra e Prokurorit Federal në Zvicër ka ngritur aktakuzë ndaj dy burrave nën dyshimin për lidhje me terrorizmin dhe mbështetje të organizatës terroriste Shteti Islamik (ISIS).
Njëri nga të akuzuarit është një 36-vjeçar me shtetësi kosovare, i cili dyshohet se ka udhëhequr degën zvicerane të një organizate islamiste me origjinë nga Kosova.
Sipas autoriteteve, ai dhe një 33-vjeçar tjetër me shtetësi të dyfishtë zvicerane dhe të Maqedonisë së Veriut, jo vetëm kanë përhapur ideologjinë ekstremiste të ISIS-it, por kanë rekrutuar ndjekës të rinj në rajonin e Gjenevës dhe kanë mbledhur fonde për aktivitete në Kosovë.
Grupi i tyre, me frymëzim salafist-xhihadist, kishte për qëllim krijimin e një territori të kontrolluar nga Sheriati në Kosovë. Prokuroria dyshon gjithashtu se paratë e mbledhura janë përdorur për të korruptuar zyrtarë të huaj me qëllim shmangien e ndjekjes penale për disa anëtarë të grupit.
Të dy të pandehurit pritet të përballen me gjykimin për një sërë veprash të lidhura me terrorizmin ndërkombëtar.