Vazhdon aplikimi online për akreditimin e vëzhguesve dhe mediave për zgjedhjet lokale
Komisioni Qendror i Zgjedhjeve (KQZ) ka bërë të ditur se vazhdon periudha e aplikimit online për akreditimin e vëzhguesve dhe përfaqësuesve të mediave që do të monitorojnë Zgjedhjet Lokale për Kryetarë të Komunave dhe për Kuvendet Komunale, të cilat do të mbahen më 12 tetor 2025.
Foto: Ilustrim
Afatet për aplikim janë të përcaktuara qartë. Deri më 17 shtator 2025 mund të dorëzohen kërkesat për akreditimin e vëzhguesve të subjekteve politike të certifikuara për pjesëmarrje në zgjedhje.
Deri më 27 shtator 2025 është afati për aplikimin e vëzhguesve të organizatave joqeveritare vendore, organizatave qeveritare dhe ndërqeveritare, organizatave ndërkombëtare dhe përfaqësuesve të vendeve të huaja. Ndërsa deri më 7 tetor 2025 është afati i fundit për dorëzimin e kërkesave për akreditimin e mediave vendore dhe ndërkombëtare.
KQZ thekson se aplikimi për akreditim mund të bëhet vetëm në formë elektronike, ndërsa ky proces ka për qëllim të garantojë monitorim transparent dhe të barabartë të zgjedhjeve, duke përfshirë sa më shumë aktorë të interesuar në mbikëqyrjen e procesit zgjedhor.