Të mërkurën nis numërimi i votave të diasporës, të personave me aftësi të kufizuara dhe atyre me kusht
Dy javë pas mbajtjes së zgjedhjeve të përgjithshme në Kosovë, rezultatet përfundimtare ende nuk janë shpallur, duke lënë vend për pasiguri dhe pritje të gjatë.
Numërimi i votave të rregullta ka përfunduar të premten e kaluar, por votat e diasporës, ato me kusht dhe të personave me aftësi të kufizuara ende nuk janë numëruar.
Sipas anëtarit të PDK-së në Komisionin Qendror të Zgjedhjeve (KQZ), Arianit Elshani, numërimi i këtyre votave pritet të fillojë të mërkurën. “Sot nuk nisë, besoj që të mërkurën fillon,” tha ai për Express, duke shtuar se ky proces po zhvillohet në përputhje me afatet e parashikuara nga KQZ.
KQZ ka konfirmuar se numërimi i votave me kusht, të mërgatës dhe të personave me aftësi të kufizuara do të bëhet gjatë kësaj jave, por pa dhënë një datë të saktë. Zëdhënësi i KQZ-së, Valmir Elezi, shpjegoi se para fillimit të numërimit të votave me kusht, duhet të përfundojë skanimi i listës së votuesve të vendvotimeve të rregullta, për të parandaluar votimin e dyfishtë.
Sa i përket votave me postë, nga 9 shkurti deri më 22 shkurt janë verifikuar 60,997 pako, nga të cilat 4,050 janë refuzuar. Procesi i verifikimit do të vazhdojë edhe për 7,718 pako të tjera me fletëvotime.
Të dhënat tregojnë se në përfaqësitë diplomatike kanë votuar 15,352 votues, ndërsa KQZ ka pranuar rreth 69,000 pako me fletëvotime përmes postës. Përveç kësaj, janë 12,801 vota me kusht dhe 2,597 votues me nevoja të veçanta.
Pritja e rezultateve përfundimtare ka rritur tensionin politik dhe pasigurinë në vend, ndërsa partitë politike presin me padurim shpalljen e fituesve.