Të hënën hidhet shorti për renditjen e subjekteve politike në fletëvotime
Partitë politike të certifikuara nga Komisioni Qendror i Zgjedhjeve (KQZ) për zgjedhjet e 28 dhjetorit kanë mundësinë të tërhiqen nga gara dy ditë para tërheqjes së shortit për renditjen në fletëvotim.
Këtë e ka konfirmuar për Sinjalin zëdhënësi i KQZ-së, Valmir Elezi. Sipas planit të KQZ-së, shorti për renditjen e partive dhe subjekteve në fletëvotim pritet të tërhiqet të hënën, më 8 dhjetor.
Përveç partive të mëdha që marrin pjesë në garën e 28 dhjetorit, KQZ ka certifikuar edhe disa subjekte të vogla dhe iniciativa që garojnë të vetme. Megjithatë, mbetet të shihet nëse këto subjekte do të garojnë të vetme apo do të tërhiqen për t’u bashkuar me ndonjë parti më të madhe politike.
Ky mekanizëm i KQZ-së u mundëson partive dhe iniciativave fleksibilitet në vendimin për pjesëmarrje, duke siguruar një proces zgjedhor të rregullt dhe transparent.