Sallahu: KQZ-ja ka shkelur ligjin me ndarjen e numrit për Listën Serbe
Zëvendësministri i Drejtësisë, Blerim Sallahu, ka reaguar ashpër ndaj vendimit të Komisionit Qendror të Zgjedhjeve (KQZ) për të ndarë numrin e Listës Serbe për zgjedhjet e 9 shkurtit në Kosovë.
Ai e ka cilësuar këtë veprim si një shkelje të rëndë të ligjit dhe të rendit kushtetues.
Nëpërmjet një postimi në rrjetet sociale, Sallahu ka bërë të ditur se Lëvizja VETËVENDOSJE! ka dorëzuar një ankesë në Panelin Zgjedhor për Ankesa dhe Parashtresa (PZAP), duke kërkuar pezullimin e vendimit të KQZ-së. Ai ka theksuar se, sipas nenit 130 të Ligjit për procedurën e përgjithshme administrative, çdo akt administrativ pezullohet derisa të merret një vendim përfundimtar nga organi më i lartë kompetent, në këtë rast, PZAP.
Sipas Sallahut, KQZ-ja ka vepruar në kundërshtim me ligjin duke ndarë numrin për subjektin politik Lista Serbe pa pritur vendimin përfundimtar të PZAP-së. Ai ka kritikuar institucionin për mungesë të integritetit dhe për tolerimin e një strukture që, sipas tij, “lufton shtetin e Kosovës dhe mbron terroristët”.
“Institucionet e pavarura të Republikës, siç është KQZ, jo vetëm që duhet të mbrojnë vlerat si rendi ligjor dhe kushtetues, por së paku duhet të ruajnë integritetin e tyre institucional,” ka deklaruar Sallahu. Ai ka theksuar se veprime të tilla dëmtojnë proceset demokratike dhe cenojnë zbatimin e ligjit në vend.
Në ankesën e dorëzuar në PZAP, Lëvizja VETËVENDOSJE! ka theksuar se synon të prapësojë këtë vendim të KQZ-së, të mbrojë rendin ligjor dhe të pamundësojë certifikimin e Listës Serbe. Sipas subjektit politik, ky vendim i KQZ-së përbën një precedent të rrezikshëm dhe shkelje të hapur të ligjeve për zgjedhjet dhe praktikave të rregullta administrative.