Rekord në Suharekë – Mbi 31 mijë votues të regjistruar, pa diasporën
Që nga orët e para të mëngjesit, në gjithë Kosovën ka nisur procesi zgjedhor, ku mbi dy milionë qytetarë kanë pasur të drejtë vote për të përzgjedhur përfaqësuesit e tyre.
Foto: Ilustrim
Zgjedhjet parlamentare të 28 dhjetorit kanë hyrë në histori për shkak të pjesëmarrjes së lartë të qytetarëve në vendvotimet brenda Kosovës.
Sipas të dhënave nga procesimi i më shumë se 97.5 për qind të vendvotimeve, të drejtën e votës e kanë shfrytëzuar 885,514 qytetarë, që në përqindje do të thotë se mbi 44 për qind e atyre me të drejtë vote kanë marrë pjesë në zgjedhje.
Ndërsa, në Komunën e Suharekës, procesi i votimit ka përfunduar, ku sipas të dhënave të Komisionit Qendror të Zgjedhjeve (KQZ), nga ora 07:00 deri në 19:00 kanë votuar gjithsej 31,853 qytetarë nga 70,191 me të drejtë vote, që përbën 45,38% të elektoratit.
Ky numër i regjistruar përbën rekord për pjesëmarrjen e votuesve në Suharekë. KQZ bën të ditur se janë numëruar 87 nga gjithsej 89 kutitë e votimit të disponueshme.
Pas mbylljes së qendrave të votimit, ka filluar procesi i numërimit të votave. Redaksia e SuharekaOnline do t’ju mbajë të informuar për rezultatet e para nga KQZ-ja në vazhdim.