Refuzohen mbi 6 mijë aplikime për votim nga diaspora, afro 49 mijë aprovohen
Komisioni Qendror i Zgjedhjeve (KQZ) ka njoftuar se nga 26 nëntori deri më 4 dhjetor janë pranuar mbi 55,600 aplikime për regjistrim për votim jashtë Kosovës.
Nga ky numër, mbi 48,600 janë aprovuar, ndërsa rreth 6,400 aplikime janë refuzuar. Aktualisht, rreth 500 aplikime janë ende në proces vlerësimi.
Sipas KQZ-së, pjesa më e madhe e qytetarëve të regjistruar kanë zgjedhur të votojnë përmes postës. Konkretisht, rreth 35,000 persona do të dërgojnë pakon me fletëvotim direkt në ndonjërën nga kutitë postare jashtë Kosovës, ndërsa më shumë se 1,600 do ta dërgojnë pakon e tyre me fletëvotim në kutinë postare të KQZ-së në vend.
Ndërkaq, mbi 12,000 qytetarë janë regjistruar për të votuar fizikisht në ndonjërën nga përfaqësitë diplomatike të Kosovës jashtë vendit.
KQZ-ja ka bërë thirrje që të gjithë qytetarët që kanë aplikuar për votim jashtë vendit të përgatiten për të dërguar fletëvotimet sipas udhëzimeve dhe të sigurohen që të respektojnë afatet përkatëse, në mënyrë që votat e tyre të konsiderohen të vlefshme.
Ky proces regjistrimi për votim jashtë Kosovës paraqet një hap të rëndësishëm drejt sigurimit të pjesëmarrjes së qytetarëve kosovarë në zgjedhjet e parakohshme për Kuvendin e Kosovës më 28 dhjetor 2025.