Ramush Haradinaj premton kushte më të mira pune për policët e Kosovës
Kandidati për kryeministër nga koalicioni për Kosovën Fituese, Ramush Haradinaj, u ka shprehur mirënjohjen e tij publike pjesëtarëve të Policisë së Kosovës për punën e palodhshme që bëjnë për të ruajtur rendin dhe sigurinë e vendit.
Në një letër të hapur drejtuar Policisë së Kosovës, Haradinaj ka premtuar se do të angazhohet për përmirësimin e kushteve të tyre të punës, duke marrë parasysh sfidat e shumta që ata përballojnë, siç janë oraret e gjata të natës dhe kushtet e vështira.
“Kosova është familja juaj, për të cilën në frontet e shumta të sigurisë, ju e keni dhënë jetën,” ka shkruar Haradinaj, duke shtuar se “Netët e ftohta, sidomos në agun e mëngjesit janë ato më të gjatat. Në ato momente kujton e mendon gjithçka, por ajo që të mban gjallë është dashnia për atdheun e familjen.”
Haradinaj ka theksuar se e kupton dhe e ndjen sakrificën e tyre, duke vlerësuar lart përkushtimin dhe dinjitetin me të cilin ata e kryejnë detyrën e tyre. “Që ta kemi gjumin e qetë në familjet tona, që Kosova të ndjehet e sigurtë, jeni ju vajzat e djemtë që po shërbeni me dinjitet e përkushtim,” ka përfunduar Haradinaj letrën e tij.