Pakënaqësi për mungesën e gjuhës turke në materialet informuese në Qendrat e Votimit në Prizren

09.02.2025

Eksponentët politikë të komunitetit turk në Prizren kanë shprehur shqetësimin e tyre lidhur me mungesën e gjuhës turke në materialet informuese të shpërndara në Qendrat e Votimit.

Ata e kanë cilësuar këtë si një shkelje të ligjit për përdorimin e gjuhëve, duke theksuar se gjuha turke gëzon statusin e gjuhës zyrtare në këtë komunë.

Fidan Brina Jilta ka reaguar përmes rrjeteve sociale, duke theksuar se një situatë e tillë paraqet përsëritje të shkeljeve të legjislacionit në fuqi.

“A e ka neglizhuar këtë KQZ? Apo si e ka lejuar? Si gjithmonë, do të vazhdojmë t’i mbrojmë të drejtat tona, sepse kjo është e drejta jonë Kushtetuese”, ka deklaruar ajo.

Një reagim të ngjashëm ka bërë edhe Enis Kervan, i cili ka kritikuar Komisionin Qendror të Zgjedhjeve për neglizhencën e treguar në këtë çështje.

“Anëtarët e Komisionit Qendror të Zgjedhjeve a ishin në gjumë? Si mund ta harrojnë që gjuha turke është gjuhë zyrtare në Prizren? Si nuk zgjohen dhe nuk ndërhyjnë ata që ‘flenë’ në Komisionin Qendror të Zgjedhjeve?”, ka shkruar ai në rrjetet sociale.

Sipas dispozitave të Ligjit për Përdorimin e Gjuhëve, gjuha shqipe dhe gjuha serbe janë gjuhët zyrtare në nivel shtetëror në Kosovë, ndërsa gjuha turke gëzon statusin e gjuhës zyrtare në Komunën e Prizrenit. Mungesa e saj në materialet informuese zgjedhore ka ngjallur shqetësim dhe reagime nga komuniteti turk, i cili kërkon ndërhyrje urgjente për respektimin e të drejtave të garantuara me ligj.