Numërimi i votave për deputetë fillon nesër, KQZ-ja njofton për procesin
Komisioni Qendror i Zgjedhjeve (KQZ) ka njoftuar se të martën do të fillojë numërimi i votave për kandidatët për deputetë në Qendrat Komunale të Numërimit.
Zëdhënësi i KQZ-së, Valmir Elezi, tha se ky proces do të zhvillohet në përputhje me Rregulloren Zgjedhore të KQZ-së 16/2024. Gjatë këtij procesi, do të bëhet verifikimi i rezultateve të subjekteve politike.
“Pas përfundimit të këtyre procedurave, numërimit të votave jashtë Kosovës, votave me kusht, votave të personave me nevoja të veçanta dhe aspekteve tjera që parashihen me Ligjin për Zgjedhjet e Përgjithshme, KQZ do shpall rezultatet përfundimtare për subjektet politike dhe kandidatët për deputetë,” tha Elezi.
KQZ-ja ka ftuar të gjithë akterët e përfshirë në procesin zgjedhor që të respektojnë procedurat dhe të kontribuojnë në një proces të rregullt dhe transparent.