Nesër përfundojnë afatet për koalicione dhe aplikim për certifikim të subjekteve politike

29.11.2025

Procesi zgjedhor për zgjedhjet e parakohshme për Kuvendin e Kosovës, të cilat do të mbahen më 28 dhjetor 2025, po hyn në një fazë vendimtare.

Deri më 30 nëntor, në orën 23:59, përfundojnë tri nga afatet më të rëndësishme për subjektet politike që synojnë pjesëmarrjen në këto zgjedhje.

Bëhet fjalë për afatin e aplikimit për certifikim të subjekteve politike, afatin për deklarimin e koalicioneve, si dhe për njoftimin zyrtar për mos-pjesëmarrje në zgjedhje. Të gjitha partitë dhe subjektet politike që duan të marrin pjesë në zgjedhje, ose të deklarojnë që nuk do të jenë pjesë e procesit, duhet t’i finalizojnë këto procedura brenda kësaj date.

Ndërkohë, afati tjetër i rëndësishëm është ai për dorëzimin e listave të kandidatëve, i cili mbetet i hapur deri më 7 dhjetor 2025.

Komisioni Qendror i Zgjedhjeve ka publikuar edhe kalendarin e plotë me të gjitha afatet që do të përcjellin procesin zgjedhor deri në ditën e votimit. Në vijim janë afatet kryesore:

  • Deklarimi i partive për mos-pjesëmarrje: 24–30 nëntor 2025
  • Deklarimi i koalicioneve: 24–30 nëntor 2025
  • Aplikimi për certifikim të subjekteve politike: 24–30 nëntor 2025
  • Dorëzimi i listave të kandidatëve: 24 nëntor – 7 dhjetor 2025
  • Tërheqja e shortit për renditjen në fletëvotim: 8 dhjetor 2025

Gjithashtu, qytetarët kanë afat nga 26 nëntor deri më 6 dhjetor për të bërë ndërrimin e Qendrës së Votimit, si dhe për të paraqitur kundërshtime dhe konfirmime për listën votuese. Po në këto data zhvillohet edhe regjistrimi i votuesve jashtë Kosovës.

Certifikimi i listës votuese brenda dhe jashtë vendit do të bëhet më 10 dhjetor, ndërsa votimi përmes postës do të mund të kryhet nga 12 deri më 27 dhjetor.

Fushata zgjedhore për subjektet e certifikuara do të zgjasë nga 17 dhjetor deri më 28 dhjetor 2025, ora 06:59, ndërsa regjistrimi i votuesve me nevoja të veçanta do të zhvillohet nga 11 deri më 21 dhjetor. Deri më 16 dhjetor do të emërohen Këshillat e Vendvotimeve, ndërsa aplikimi për akreditim të vëzhguesve do të jetë i hapur nga 5 deri më 20 dhjetor 2025.

Me përfundimin e afateve të para të rëndësishme më 30 nëntor, procesi zgjedhor hyn në një fazë edhe më dinamike, duke përgatitur terrenin për zgjedhjet e 28 dhjetorit, ku qytetarët do të përcaktojnë përbërjen e re të Kuvendit të Kosovës.