Nesër hidhet shorti për renditjen e subjekteve politike në fletëvotimet e zgjedhjeve lokale

03.09.2025

Të enjten, më 4 shtator, më shumë se 90 përfaqësues të subjekteve politike do të marrin pjesë në tërheqjen e shortit për renditjen e tyre në fletëvotimet e Zgjedhjeve Lokale për Kryetarë të Komunave dhe për Kuvende Komunale.

Lajmi është konfirmuar për RTKLive nga zëdhënësi i Komisionit Qendror të Zgjedhjeve (KQZ), Valmir Elezi, i cili ka bërë të ditur se të gjitha subjektet janë njoftuar zyrtarisht për këtë aktivitet.

“Tërheqja e shortit për renditjen e subjekteve politike në fletëvotime është një proces i hapur, duke garantuar transparencë të plotë dhe trajtim të barabartë të të gjitha subjekteve politike,” ka deklaruar Elezi.

Fillimi i fushatës zgjedhore

Pas këtij procesi, subjektet politike do të kenë mundësinë të nisin fushatën zgjedhore më 13 shtator, e cila do të zgjasë deri më 12 tetor, ora 06:59, pak para hapjes së Qendrave të Votimit.

Ky hap shënon një fazë të rëndësishme drejt zgjedhjeve lokale të tetorit, duke përcaktuar renditjen që do të kenë subjektet politike në fletëvotim – një element me peshë në orientimin e votuesve gjatë procesit zgjedhor.