Maqedonci dhe LVV-Suharekë vizitojnë familjarë të viktimave të masakrës në Tërrnje dhe përkujtojnë heroizmin e Besim Ndrecës
Ministri i Mbrojtjes, Ejup Maqedonci, së bashku me kryetarin e Qendrës, Jetmir Durmishi, dhe kandidatët për deputet, Salih Zyba, Albena Reshitaj dhe Brunilda Gjura, kanë vizituar familjen Gashi në fshatin Tërrnje.
Kjo vizitë u realizua pikërisht në vendin ku më 25 mars të vitit 1999 u vranë 22 anëtarë të familjes Gashi, nga gjithsej 31 shqiptarë të ekzekutuar nga forcat serbe atë ditë tragjike.
Sipas njoftimit të Lëvizjes Vetëvendosje, dega në Suharekë, njëri nga të mbijetuarit e familjes Gashi ndau rrëfimin e tij prekës për masakrën, të cilën e kishte parë me sytë e tij nga çatia e shtëpisë. Kjo tragjedi mbetet një dëshmi e dhimbshme e vuajtjeve të popullit shqiptar gjatë luftës së fundit në Kosovë.
Gjithashtu gjatë vizitës së tij u përkujtua edhe heroizmi i dëshmorit Besim Ndrecaj nga fshati Maqitevë i komunës së Suharekës. Ai ishte pjesëtar i njësitit “Shqipet e Lirisë” dhe një nga luftëtarët që nuk iu përkulën okupatorit serb. Më 3 maj të vitit 1995, ai refuzoi të dorëzohej dhe luftoi për dy orë të tëra, derisa ra dëshmor nga nëntë plagët që mori në trup – një sakrificë që sot konsiderohet simbol i qëndresës dhe pavdekësisë.
Veprat dhe sakrificat e dëshmorëve si Besim Ndrecaj mbeten një testament i patjetërsueshëm i luftës për liri, duke frymëzuar brezat e ardhshëm për të ruajtur dhe mbrojtur pavarësinë dhe dinjitetin e Kosovës.
