Salih Zyba: Pasivizimi i adresave në Luginën e Preshevës po përdoret si mjet për diskriminimin e shqiptarëve
Deputeti i Lëvizjes Vetëvendosje, Salih Zyba, ka reaguar përmes një shkrimi në Facebook ndaj politikave të Serbisë në Luginën e Preshevës, duke ngritur shqetësime për trajtimin e shqiptarëve në Preshevë, Medvegjë dhe Bujanoc.
Zyba ka kritikuar rolin e ministres në Qeverinë e Serbisë, Snezana Paunoviq, e cila sipas tij mban përgjegjësi edhe për çështjet e qeverisjes lokale, duke e lidhur këtë me politikat ndaj shqiptarëve në Luginë.
Në shkrimin e tij, ai ka theksuar se pasivizimi i adresave të qytetarëve shqiptarë përbën një formë të diskriminimit institucional, pasi sipas tij shumë persona rrezikojnë të humbin qasjen në të drejta themelore si votimi, dokumentet personale dhe shërbimet publike.
Ai ka pretenduar se këto praktika ndikojnë në ndryshimin e strukturës demografike të Luginës së Preshevës dhe paraqesin një përpjekje për largimin gradual të shqiptarëve përmes mekanizmave administrativë.
Sipas Zybas, politikat ndaj shqiptarëve në Luginën e Preshevës janë pjesë e një qasjeje më të gjerë shtetërore të Serbisë, që sipas tij synon përjashtimin dhe dobësimin e pozitës së shqiptarëve në këtë rajon.
