Mbi 3.6 milionë fletëvotime për Zgjedhjet Lokale 2025
Komisioni Qendror i Zgjedhjeve (KQZ) ka mbajtur mbledhjen e 56-të për këtë vit, nën kryesimin e kryesuesit Kreshnik Radoniqi. Vendimet e marra janë miratuar me procedurë qarkulluese.
Në këtë mbledhje, KQZ ka përcaktuar numrin e fletëvotimeve, broshurave të kandidatëve dhe listave votuese që do të shtypen për Zgjedhjet Lokale 2025.
Sipas vendimit, për raundin e parë të zgjedhjeve për kryetarë komunash do të shtypen 1,800,410 fletëvotime, ndërsa po aq, 1,800,410 fletëvotime, do të shtypen edhe për zgjedhjet për kuvendet komunale. Në këtë shifër përfshihen fletëvotimet për vendvotimet e rregullta, votimin me kusht, votimin e personave me nevoja të veçanta, fletëvotimet rezervë dhe votimin me postë.
Në këtë proces, numri i fletëvotimeve do të jetë për 13% më i ulët krahasuar me numrin e qytetarëve me të drejtë vote, që sipas listës votuese të certifikuar është 2,069,098 votues.
Nga ky numër, 2,025,105 votues janë të regjistruar për të votuar në vendvotimet brenda Kosovës, ndërsa 43,993 votues janë të regjistruar për të votuar me postë nga jashtë vendit.
Zgjedhjet Lokale 2025 do të zhvillohen në 938 Qendra të Votimit me gjithsej 2,625 vendvotime. Prej tyre, 910 qendra me 2,571 vendvotime do të shërbejnë për votimin e rregullt, ndërsa 38 qendra me gjithsej 54 vendvotime do të jenë për votimin me kusht.