KQZ trajnon zyrtarët për zgjedhjet e parakohshme të 28 dhjetorit
Komisioni Qendror i Zgjedhjeve (KQZ) ka organizuar një trajnim dyditor për zyrtarët e trajnimit që do të angazhohen në Komisionet Komunale të Zgjedhjeve, në kuadër të përgatitjeve për organizimin e zgjedhjeve të parakohshme për Kuvendin e Kosovës, të cilat do të mbahen më 28 dhjetor.
Sipas KQZ-së, ky program trajnimi ka për qëllim rritjen e kapaciteteve profesionale të zyrtarëve të trajnimit, në mënyrë që procedurat zgjedhore të zbatohen në përputhje me legjislacionin dhe rregullat në fuqi, duke garantuar integritetin dhe mbarëvajtjen e procesit zgjedhor.
Gjatë ditës së parë të trajnimit, pjesëmarrësit u trajnuan për rolin dhe përgjegjësitë e trajnerëve, si dhe për aftësitë bazë të prezantimit dhe lehtësimit të trajnimeve. Po ashtu, u trajtuan procedurat e votimit dhe numërimit në vendvotim, procedurat e votimit me kusht dhe votimit të personave me nevoja të veçanta (VPNV), si dhe procedurat e paketimit dhe dorëzim-pranimit të materialit zgjedhor. Një pjesë e rëndësishme e trajnimit iu kushtua edhe procedurave të numërimit të votave në Qendrën Komunale të Numërimit (QKN).
Përveç ligjëratave teorike, pjesëmarrësit zhvilluan edhe punë në grupe, ku u trajtuan raste konkrete dhe u diskutuan sfidat praktike që mund të paraqiten gjatë procesit të votimit dhe numërimit.
Ndërkaq, dita e dytë e trajnimit ishte e fokusuar në zbatimin praktik të procedurave zgjedhore përmes simulimeve. Këto përfshinë simulimin e procesit të votimit të rregullt në vendvotim, simulimin e numërimit të votave dhe paketimit të materialit zgjedhor, simulimin e votimit me kusht dhe votimit të personave me nevoja të veçanta, si dhe simulimin e procedurave të numërimit të votave në Qendrën Komunale të Numërimit.
Në përmbyllje të trajnimit, KQZ ka bërë vlerësimin e programit dhe testimin e pjesëmarrësve, me qëllim të verifikimit të njohurive të përfituara gjatë këtij procesi.
Sipas KQZ-së, ky trajnim kontribuon drejtpërdrejt në përgatitjen profesionale të stafit zgjedhor dhe në garantimin e një procesi zgjedhor të rregullt, transparent dhe në përputhje me standardet demokratike, për zgjedhjet e 28 dhjetorit.