KQZ pa buxhet për zgjedhjet e 28 dhjetorit – Ministria e Financave ende nuk ka ndarë mjetet e kërkuara
Në mbledhjen e sotme të Komisionit Qendror të Zgjedhjeve, drejtori i Sekretariatit të KQZ-së, Besnik Buzhala, ka bërë të ditur se Ministria e Financave ende nuk i ka ndarë mjetet buxhetore të nevojshme për organizimin e zgjedhjeve të 28 dhjetorit.
Foto: Ilustrim
Sipas Buzhalës, pavarësisht kërkesave të vazhdueshme dhe komunikimeve të bëra me Ministrinë e Financave, nuk ka ende asnjë informacion konkret se kur do të miratohet buxheti i kërkuar nga KQZ.
“Kemi kontaktu me ta, na kanë thënë që kur të kanë informacione konkrete do të na njoftojnë. Deri tani s’kemi asgjë konkrete për buxhetin e miratuar nga KQZ-ja”, tha ai gjatë mbledhjes.
Mungesa e mjeteve financiare në prag të datës së zgjedhjeve ngre shqetësime serioze për përgatitjen e procesit zgjedhor, duke përfshirë organizimin logjistik, angazhimin e stafit, pajisjet teknike dhe mbështetjen operacionale që kërkon dita e votimit.
KQZ ka theksuar se është në pritje të reagimit të Ministrisë së Financave, ndërsa çdo vonesë e mëtejshme mund të ndikojë në dinamiken e përgatitjeve zyrtare për procesin zgjedhor të 28 dhjetorit.