KQZ: Në vendvotime do të numërohen vetëm votat e partive
Komisioni Qendror i Zgjedhjeve (KQZ) ka përfunduar shpërndarjen e materialeve zgjedhore, përfshirë fletëvotimet, në të gjitha komunat e Republikës së Kosovës. Ky hap i rëndësishëm shënon përgatitjet e fundit për zgjedhjet e shumëpritura të 9 shkurtit.
Foto: Ilustrim
Zëdhënësi i KQZ-së, Valmir Elezi, në një intervistë për KosovaPress, ka konfirmuar se materialet zgjedhore janë vendosur në Qendrat Komunale të Numërimit dhe do të shpërndahen në qendrat e votimit në orët e para të së dielës.
“Sipas planifikimeve, është bërë shpërndarja e materialit zgjedhor, përfshirë dhe fletëvotimet, për në komunat e Republikës së Kosovës. Materialet janë vendosur në Qendrat Komunale të Numërimit dhe në orët e hershme të së dielës, do të shpërndahet në qendrat e votimit, në të cilat procesi i votimit do të fillojë në orën 07:00,” tha Elezi.
Numri i qendrave të votimit që do të hapen më 9 shkurt është 941, duke përfshirë 903 qendra për votimin e rregullt me gjithsej 2,533 vendvotime dhe 38 qendra për votimin me kusht, nga një për çdo komunë, me gjithsej 56 vendvotime. Numri i qytetarëve me të drejtë vote është 1,970,944.
Pas mbylljes së qendrave të votimit, do të fillojë numërimi i fletëvotimeve për subjektet politike në 941 qendra të votimit. Kjo procedurë do t’i mundësojë KQZ-së publikimin e shpejtë të rezultateve preliminare.
Sipas vendimit të KQZ-së, janë shtypur 1,752,650 fletëvotime, prej të cilave 1,664,100 për votimin në vendvotime të rregullta, 28,450 për votimin me kusht, 38,650 për votimin e personave me nevoja të veçanta dhe si fletëvotime rezervë dhe 21,450 për votimin në përfaqësi diplomatike.
“Në ditën e zgjedhjeve, në vendvotime do të numërohet vetëm pjesa e fletëvotimit ku qytetarët kanë votuar për subjektet politike. Kjo ia mundëson KQZ-së, që brenda një kohe të shpejt të publikojë rezultatet preliminare për subjektet politike. Një ditë më pas, për dallim nga zgjedhjet e kaluara, ne Qendra Komunale të Numërimit, do të fillojë numërimi i pjesës tjetër të fletëvotimit, pra vota për kandidatët për deputetë,” shtoi Elezi.
Një risi e kësaj here janë kamerat vëzhguese të vendosura në hapësirat brenda vendvotimit. Sipas Elezit, kjo masë ka për qëllim garantimin e sigurisë së materialeve zgjedhore dhe ruajtjen e integritetit të procesit të votimit dhe numërimit.