KQZ mblidhet për miratimin e fletëvotimit dhe rinumërimet e mundshme
Komisioni Qendror i Zgjedhjeve (KQZ) do të mbajë sot një mbledhje të rëndësishme nga ora 14:30.
Pikat kryesore të rendit të ditës do të jetë shqyrtimi dhe miratimi i rekomandimeve për rinumërimin e vendvotimeve me dallime të ngushta në rezultate, si dhe miratimi i fletëvotimeve për raundin e dytë të zgjedhjeve lokale.
Këto vendime pritet të kenë ndikim të drejtpërdrejtë në përgatitjet për balotazh dhe në forcimin e besimit të publikut në rezultatet përfundimtare.
Pas përfundimit të raundit të parë të zgjedhjeve të mbajtura më 12 tetor 2025, një numër komunash do të shkojnë në balotazh më 9 nëntor 2025, ku gara pritet të jetë jashtëzakonisht e ngushtë mes kandidatëve kryesorë.
Në Komunën e Suharekës, qytetarët do të rikthehen në kutitë e votimit për të zgjedhur kryetarin e ardhshëm në një përballje të drejtpërdrejtë mes Bali Muharremajt nga AAK dhe Ardian Shalës nga LDK. Dy kandidatët kanë dalë të parët pas raundit të parë, me një diferencë votash, që reflekton ndarjen e elektoratit dhe rrit pritshmëritë për një balotazh të tensionuar.
Gara në Suharekë është karakterizuar nga mobilizim i lartë politik dhe qytetar, ndërsa pritet që të gjitha subjektet politike të intensifikojnë fushatën në javët në vijim.