KQZ: Mbi 32 mijë kërkesa për votim jashtë Kosovës, aprovohen 21 mijë
Me raportin informues lidhur me ecurinë e përgatitjes së Zgjedhjeve Lokale të 12 tetorit ka nisur mbledhja e Komisionit Qendror të Zgjedhjeve këtë të hënë.
Është bërë e ditur se gjatë kësaj periudhe sa është i hapur afati për ndërrimin e Qendrës së Votimit brenda komunës nga 28 qershori deri dje, më 24 gusht 2025, KQZ-ja ka pranuar 8 mijë e 107 kërkesa, prej të cilave kanë bërë të ditur se 7 mijë e 432 janë aprovuar, ndërkaq 675 të tjera janë refuzuar për shkak se nuk kanë bashkangjitur fotografinë e tyre duke mbajtur në dorë dokumentin identifikues.
Afati për ndërrim të Qendrës së Votimit do të mbyllet këtë të premte, më 29 gusht 2025.
Po ashtu, anëtarët u informuan lidhur me periudhën e regjistrimit të votuesve jashtë Kosovë votim me postë në Zgjedhjet Lokale 2025.
Sipas të dhënave, të prezantuara nga Besnik Buzhala nga sekretariati i KQZ-së, prej 23 korrikut, kur ka filluar procesi i regjistrimit, dhe deri më 25 gusht në ora 09:00, janë aprovuar 21 mijë e 436 kërkesa të paraqitura përmes platformës elektronike, ndërkaq ka treguar se janë refuzuar 5 mijë e 244.
Ai ka bërë të ditura arsyet e refuzimit. “Për shkak se aplikuesit nuk kanë paraqitur dokumentin që dëshmon adresën e banimit apo adresa e deklaruar nuk është e njëjtë me adresën në dokumentin që e dëshmon atë”, tregoi ai.