KQZ kufizon shpenzimet e subjekteve politike për fushatën zgjedhore në balotazh, 2 euro për çdo votues të regjistruar

28.10.2025

Komisioni Qendror i Zgjedhjeve (KQZ) mbajti mbledhjen e radhës, të kryesuar nga kryetari Kreshnik Radoniqi, ku u mor vendim për kufizimin e shpenzimeve të fushatës zgjedhore për raundin e dytë të zgjedhjeve komunale, që do të zhvillohet më 9 nëntor.

Sipas vendimit të KQZ-së, fushata për subjektet politike dhe kandidatët do të fillojë më 3 nëntor dhe do të përfundojë më 9 nëntor 2025, në orën 06:59.

Kufiri i sipërm i shpenzimeve për raundin e dytë është vendosur në 2,633,344 euro, bazuar në numrin e votuesve të regjistruar brenda vendit për këtë rund, që arrin në 1,316,672 votues. Ky kufi përllogaritet me 2 euro për çdo votues të regjistruar.

Komisioni thekson se subjektet politike nuk mund të tejkalojnë vlerën e përcaktuar të shpenzimeve në komunat ku garojnë në rrethin e dytë të zgjedhjeve.

Vendimi vjen në kuadër të përpjekjeve të KQZ-së për të siguruar një proces zgjedhor të drejtë dhe të kontrolluar financiarisht, duke garantuar transparencë dhe barazi midis kandidatëve në balotazh.