KQZ dërgon për herë të parë pakot me fletëvotime për diasporën

18.09.2025

Për herë të parë, Komisioni Qendror i Zgjedhjeve (KQZ) ka marrë përsipër që votuesve të regjistruar jashtë Kosovës t’ua dërgojë me postë pakot me fletëvotime për Zgjedhjet Lokale.

Ky shërbim po realizohet për 43,933 shtetasit e Kosovës që kanë aplikuar dhe janë regjistruar për të votuar përmes postës, si për zgjedhjet e kryetarëve të komunave, ashtu edhe për ato të kuvendeve komunale.

Zëdhënësi i KQZ-së, Valmir Elezi, bëri të ditur për KosovaPress se procesi i dërgimit të pakove është duke vazhduar me ritme të shpejta. “KQZ-ja synon që brenda kësaj jave të përmbyllë dërgimin e të gjitha pakove me nga dy fletëvotime: një për zgjedhjet për kryetar komune dhe një për zgjedhjet për kuvende komunale”, u shpreh ai. Deri më tani, mbi 15 mijë pako individuale janë dërguar jashtë Kosovës, ndërsa me mijëra të tjera pritet të dërgohen deri në fund të javës.

Votimi me postë për qytetarët jashtë Kosovës ka nisur zyrtarisht më 17 shtator dhe do të vazhdojë për më shumë se 20 ditë. Elezi tha se ky afat është i mjaftueshëm për të gjithë votuesit, pasi KQZ ka hapur kuti postare në 23 shtete të ndryshme të botës, duke përfshirë edhe Kosovën. “Vlerësojmë se afati i vendosur është i mjaftueshëm për të mundësuar që secili votues të dërgojë pakon e tij me fletëvotime në kohë”, shtoi ai.

Në mbledhjen e fundit të KQZ-së u raportua se deri tani janë proceduar rreth 34% e fletëvotimeve. KQZ synon që ky proces të përfundojë në kohë dhe t’u mundësojë të gjithë votuesve në diasporë pjesëmarrje të barabartë në zgjedhjet lokale.