Këto janë adresat e kutive postare në 23 shtete për votuesit e regjistruar jashtë Kosovës për votim përmes postës

15.12.2025

Komisioni Qendror i Zgjedhjeve (KQZ) ka njoftuar se, për të lehtësuar procesin e votimit jashtë vendit, për votuesit e regjistruar për votim me postë, janë vendosur kutitë postare në 23 shtete të ndryshme.

Shtetet ku janë funksionale kutitë postare janë: Australi, Austri, Belgjikë, Çeki, Danimarkë, Francë, Gjermani, Holandë, Hungari, Itali, Kanada, Kosovë, Kroaci, Mali i Zi, Maqedoni e Veriut, Mbretëri e Bashkuar, Norvegji, SHBA, Shqipëri, Slloveni, Suedi, Turqi dhe Zvicër.

Procesi i dërgimit të pakove me fletëvotime për rreth 58 mijë votuesit e regjistruar jashtë vendit ka nisur më 14 dhjetor 2025. Fletëvotimet, të cilat janë shtypur në Slloveni, kanë arritur në Kosovë më 12 dhjetor, dhe pas kësaj shërbimi votues i KQZ-së ka përgatitur paketat individuale për secilin votues të regjistruar.

Çdo paketë postare ka një numër të veçantë gjurmimi, duke u mundësuar votuesve të ndjekin vazhdimisht vendndodhjen e fletëvotimit të tyre.

Votimi përmes postës do të përfundojë më 27 dhjetor 2025. Votuesit e regjistruar duhet të dorëzojnë paketat në kutitë postare të KQZ-së në shtetin ku jetojnë, ose në kutitë më të afërta. KQZ-ja u bën thirrje votuesve që ta bëjnë këtë sa më shpejt, për të siguruar që paketat të arrijnë me kohë dhe të përfshihen në procesin e numërimit të votave.