Haradinaj thotë se investimet kapitale do të shkojnë në 25 miliardë euro
Kandidati për kryeministër nga koalicioni AAK-Nisma, Konservatorët- Forumi intelektual E30- Ideal, Ramush Haradinaj, ka premtuar se do të rrisë fuqinë investive të kapitalit privat deri në dyfishin e investimeve qeveritare.
“Gjatë mandatit të ardhshëm qeverisës investimet kapitale do të arrijnë në 25 miliardë, prej të cilave 16 miliardë investime private,” ka thënë Haradinaj, duke theksuar se qeverisja e tij do të jetë partnere me bizneset, duke hapur rrugën për rritje ekonomike deri në 7%.
Haradinaj ka premtuar politika buxhetore, fiskale dhe tregtare në funksion të zhvillimit ekonomik, duke përfshirë politika që përkrahin bizneset dhe nxisin prodhimin dhe eksportin. Ai gjithashtu ka thënë se do të ofrojnë infrastrukturë të plotë dhe moderne në mbështetje të bizneseve dhe lëvizjes së mallrave dhe njerëzve, si dhe do të planifikojnë zona ekonomike biznesore në mbarë vendin dhe Planin Hapësinor final në funksion të zhvillimit ekonomik.
Sipas Haradinajt, totali i të hyrave buxhetore, duke përfshirë edhe rritjen e borxhit publik, gjatë mandatit qeveritar do të arrijë në 22.5 miliardë euro. Buxheti katër vjeçar do të shpenzohet për investime kapitale 9 miliardë, paga për punonjësit publik 4.8 miliardë, transfere sociale 4.6 miliardë, subvencione 2.3 miliardë dhe mallra e shërbime 1.8 miliardë.
Haradinaj ka thënë se investimet kapitale do të jenë në funksion të rritjes së hovshme ekonomike dhe rritjes së cilësisë së jetës së qytetarëve.