Haradinaj në Rahovec: Trefishim të subvencioneve për bujqësi
Kandidati për kryeministër nga koalicioni “Kosova Fituese”, Ramush Haradinaj, prezantoi në Rahovec planin gjithëpërfshirës për zhvillimin e hovshëm ekonomik të vendit, duke vënë theksin te shndërrimi i Rahovecit në zonë strategjike bujqësore dhe rritja e standardit jetësor të qytetarëve.
“Me Ligjin e veçantë për bujqësi, Rahoveci do të shndërrohet në zonë strategjike. Plotësim-ndryshimi i Ligjit për Komasacion dhe ndërtimi i Liqenit Akumulues në Zhdrellë do të revolucionarizojnë bujqësinë”, u shpreh Haradinaj para qytetarëve të Rahovecit.
Në kuadër të projekteve infrastrukturore, kandidati për kryeministër i këtij koalicioni paraqiti planet për zgjerimin e rrugës Rahovec-Malishevë, ndërtimin e impiantit të ujërave të zeza dhe rregullimin e shtratit të Drinit të Bardhë. Sipas tij, zgjerimi i sistemit të ujitjes nga Liqeni i Dukagjinit do t’i japë energji të re prodhimit vendor.