Hamza anulon vizitën në Austri për shkak të situatës në Kosovë

para 11 dite

Kandidati i PDK-së për kryeministër, Bedri Hamza, ka njoftuar se ka anuluar vizitën e tij në Austri, ku kishte planifikuar të takohej me bashkatdhetarët.

Hamza anulon vizitën në Austri për shkak të situatës në Kosovë

Në një postim në rrjetet sociale, Hamza ka shpjeguar se arsyeja e kësaj vendimi është situata e krijuar në veri të Kosovës, pas sulmit në kanalin e ujit të Ibër-Lepencit.

“Bashkatdhetarëve të mi në Austri, të cilët sonte kisha planifikuar t’i takoj, ju kërkoj ndjesë për mungesën time në tubimin e sotëm në Vjenë. Për shkak të ngjarjeve në veri të vendit, që kanë shkaktuar pasoja të rënda, kam anuluar pjesëmarrjen për t’ju qëndruar pranë qytetarëve në këtë periudhë të ndjeshme”, ka shkruar Hamza.

LEXO EDHE:  Edhe 5 ditë afat, ende asnjë subjekt politik nuk ka aplikuar për certifikim në KQZ

Ai ka theksuar se e di se bashkatdhetarët e Kosovës në diasporë po bashkëndjejnë me vendin në këto momente të vështira dhe se shpreson që së shpejti të ketë mundësi të takohet me ta në rrethana më të mira.

“E di se bashkatdhetarët tanë po bashkëndjejnë në këto momente me ne, siç jam i sigurt që do të takohemi së shpejti në ditë më të mira për qytetarët tanë, mërgatën dhe Kosovën. Ju falënderoj për mirëkuptimin!”, ka shtuar Hamza.

Etiketat