Elezi: Shtyhet deri në ora 23:59 afati për aplikim të certifikimit të partive politike
Partitë politike kanë pasur afat për të aplikuar për certifikim (dhe dorëzim të listave të kandidatëve) që nga 1 shtatori, deri sot në ora 16:00.
I kontaktuar nga SuharekaOnline, zëdhënësi i KQZ-së, Valmir Elezi, ka bërë të ditur se Komisioni Qendror i Zgjedhjeve ka zgjatur afatin për aplikim të subjekteve politike për certifikim dhe për dorëzimin e listës së kandidatëve për deputetë për pjesëmarrje në Zgjedhjet për Kuvendin e Kosovës, të cilat do të mbahen më 9 shkurt 2025, deri në orën 23:59 të ditës së sotme, e mërkurë, 11 dhjetor 2024.
Këtë vendim, KQZ e mori gjatë mbledhjes së sotme duke pasur në konsideratë se për herë të parë ky proces realizohet përmes platformës online http://certifikimi.kqz-ks.org dhe disa nga subjektet politike kanë pasur vështiësi në përdorimin e platformës.