Diaspora voton e para! Mërgimtarët fillojnë procesin e votimit më 9 janar deri më 8 shkurt
Një risi e rëndësishme në procesin zgjedhor të Kosovës do të jetë mundësia e votuesve të regjistruar jashtë vendit për të ushtruar të drejtën e tyre të votimit një muaj më parë se shtetasit që jetojnë në Kosovë.
Foto: Ilustrim
Kështu, diaspora e regjistruar do të ketë mundësi të votojnë që nga data 9 janar deri më 8 shkurt, pra 31 ditë para zgjedhjeve të përgjithshme të 9 shkurtit.
Siç njoftoi zëdhënësi i Komisionit Qendror të Zgjedhjeve (KQZ), Valmir Elezi, Gjermania mban rekordin për numrin më të madh të votuesve të regjistruar nga diaspora. “Gjermania me 44,774 votues dhe Zvicra me 27,248 votues të regjistruar janë dy shtetet me numrin më të madh të votuesve të regjistruar. Pas tyre vijnë edhe disa shtete tjera siç janë Franca, Suedia, Austria, Italia, Shtetet e Bashkuara të Amerikës, Belgjika, Mbretëria e Bashkuar dhe Finlanda”, tha Elezi.
Gjithsej, 104.924 bashkatdhetarë të regjistruar do të kenë mundësi të marrin pjesë në këtë proces të votimit të parakohshëm. Kjo iniciativë, sipas KQZ-së, synon të lehtësojë procesin e votimit për diasporën dhe të rrisë pjesëmarrjen e tyre në zgjedhje.
Ky vendim i KQZ-së është pritur me interes të madh nga diaspora kosovare, e cila në vitet e fundit ka treguar një interes të shtuar për të marrë pjesë në proceset zgjedhore në vendin e tyre të origjinës.